Turizmi me trend në rritje, INSTAT: 8.98 milionë vizitorë të huaj

1

Turizmi ka vijuar të ruajë tendencën e rritjes gjatë këtij viti dhe shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve tregojnë se objektivi 10 milionë vizitorë është shumë afër realizimit.

Sipas Institutit të Statistikave, deri në tetor numri total i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri ishte 8.98 milionë.

Vetëm në tetor, numri i të huajve ishte mbi 691 mijë, apo 89,4% më shumë.

“Në tetor 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 564.874. Ky numër është rritur me 45,2%, krahasuar me tetor 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 691.680.

Ky numër është rritur me 89,4%, krahasuar me tetor 2023. Gjatë dhjetëmujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 8.986.280. Ky numër është rritur me 32,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”, thuhet në përmbledhjen e INSTAT.

Sipas publikimit hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin tetor 2023, janë 1.256.554. Ky tregues rezulton me një rritje 66,6%, krahasuar me tetor 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit tetor 2023, janë 1.201.897, duke shënuar një rritje me 60,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tetor 2023 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 660.057 shtetas pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 16.495 dhe 8.355 shtetas.

Sipas INSTAT në tetor 2023, krahasuar me tetor 2022, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: rritje, për qëllime personale me 91,3%; rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm etj. me 93,4%; rënie, për biznes dhe qëllime profesionale me 10,3%.

/ata.gov.al