Dalin shifrat/ Shqipëria online, ja sa internet shpenzojnë shqiptarët

34

Trafiku i internetit nga rrjetet celulare u rrit me ritme të larta në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Statistikat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dëshmojnë një rritje të trafikut me 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Mesatarisht, çdo përdorues konsumon tashmë pothuajse 3.5 GB (gigabyte) internet çdo muaj me telefonin e tij celular. Konsumi mesatar ka një rritje edhe më të lartë, me 27% më shumë me bazë vjetore krahasimi.

Sipas AKEP, janë pothuajse 1.8 milionë shqiptarë që kanë akses në internet 3G dhe 4G nga aparatet celularë. Numri i përdoruesve është rritur me rreth 3% krahasuar me një vit më parë.

Tendenca globale e zhvendosjes së shërbimeve celulare drejt internetit është gjithnjë e më shumë një realitet edhe në Shqipëri. Edhe vitin e kaluar trafiku i thirrjeve dhe mesazheve të shkruara pësoi rënie, që është kompensuar nga përdorimi më i madh i të dhënave.

Shërbimi i internetit ka marrë shtysë të fortë nga teknologjia 4G dhe depërtimi në rritje i telefonave inteligjentë.

Këtë vit, pritet që AKEP të hedhë hapat e parë në drejtim të ofrimit të frekuencave për brezin e gjeneratës 5G. AKEP i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës lirimin e spektrit që duhet të përdoret për gjeneratën 5G të shërbimeve celulare. Frekuencat e para që do të përdoren për këtë qëllim janë ato të brezit 700 Mhz.