Shqipëri, përdorimi i transportit ajror kap numrin më të lartë historik. Ja destinacioni kryesor

60

Përdorimi i transportit ajror në Shqipëri është duke arritur shifrat më të larta historike. Sezoni turistik  këtij viti ka shtuar me 13% përdorimin  e udhëtimeve përmes aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” për muajin qershor.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil, numri i pasagjerëve që udhëtuan në qershor përmes linjave ajrore arriti në  311 mijë persona, duke u shtuar me 33 mijë e 290 pasagjerë më shumë, se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Me këto flukse numri i personave që udhëtojnë mesatarisht në ditë në Shqipëri duke përdorur transportin ajror arrin në 10 mijë e 400. Gjatë dy viteve të fundit Shqipëria ka rritur me 2.5 herë edhe numrin e përdorimit të chartera-ve.

Në qershor të 2017-s fluturuan në destinacionet charter afro 21 mijë pasagjerë, ndërsa në 2018-n numri i përdoruesve të avionëve ekskluzivë shkoi në 44 mijë, për të arritur në 50 mijë e 500 në qershor të këtij viti.

Në aeroportin e Tiranës aktualisht operojnë 22 linja ajrore, ku shumë prej tyre ofrojnë destinacione të njëjta, duke shtuar konkurrencën në tregun ajror.

Destinacioni kryesor mbetet Italia, qe pasohet nga Gjermania dhe Austria.

Dy kompani pritet që të shtojnë fluturimet në Itali këte vjeshtë. Në Nëntor Easy Jet do të shtojë destinacionin e Milanos, ndërsa  më 30 Shtator kompania me kapital publik Air Albania, që operon aktualisht në linjën Tiranë – Stamboll – Tiranë, do të ofrojë udhëtime drejt Romës, Milanos dhe Bolonjës.

Numri më i madh i pasagjerëve ka fluturuar me linjat “low cost”.

Për gjysmën e parë të vitit kanë udhëtuar nga ajri 1 milion e 407 mijë pasagjerë, duke pasuar një rritje me 10% me gjashtë muajt e parë të 2018-s.