Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës priti këtë fundjavë grupet e para turistike. Parku Kombëtar i Butrintit bën të ditur se “përmes Portit të Sarandës, i cili është burimi kryesor i ardhjes së vizitorëve në park, pritëm grupet e para turistike”.
“Pas 2 vitesh të vështira në sektorin e turizmit shpresojmë që situata të normalizohet për të gjithë aktorët, pjesë të kësaj industrie”, thekson Parku Kombëtar i Butrintit.
Turistët shijuan një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta dhe peizazhit fantastik, që ky park ofron në çdo stinë.
Gjatë vitit 2021 ky park u vizitua nga 52 924 turistë, nga të cilët 29 244 janë vendas dhe 23 680 të huaj. Turistët e huaj ishin kryesisht nga Italia, Franca, Gjermania, Ukraina etj.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit.
Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit.