Del në dritë kalaja e Sarandës/ Njihuni me historikun e saj

124
Kalaja e Onhezmit në Sarandë ishte këtë javë në fokus të punimeve mirëmbajtëse të sektorit të Kulturës Kombëtare Sarandë.
 
Punonjësit e këtij sektori pastruan murin rrethues të kalasë, ku kryesisht u përqendruan në pjesën veriore të murit rrethues përballë Tregut Industrial.
 
Monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike të Shqipërisë çdo ditë e më shumë po vizitohen nga turistë vendas e të huaj, të cilët kanë interes të mësojnë për historinë dhe kulturën e vendit tonë.
 
Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve, ashtu si në fillim të sezonit, por edhe tani që është në prag të përfundimit të tij, vijon të jetë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.
 
Kalaja e Onhezmit shfaqet për herë të parë në burimet e shkruara në shek. I p.e.s tek Straboni e Dionisi i Halikarnasit e dy shekuj më pas tek Ptolemeu, të cilët e quajnë atë një liman kaon.
 
Gërmimet e kryera brenda kështjellës na japin mundësi të krijojmë një ide më të plotë edhe për ndërtimet në të. Prej tyre përmendim dy banesa të zbuluara në anën perëndimore dhe një në atë lindore.
 
Interes të veçantë paraqet zbulimi në pjesën lindore të kështjellës i një bazilike të madhe. Ajo është trinefshe, me arkada mbi pilastra dhe ka në përbërjen e saj edhe disa mjedise ndihmëse. Përmendim prej saj dekorin arkitektonik dhe sidomos mozaikun shumëngjyrësh të dyshemesë. Vlen të theksohet edhe fakti se nën dyshemenë e sipërme të mozaikut është edhe një dysheme tjetër po me mozaik, që është zbuluar vetëm pjesërisht