Afatet dhe kriteret/ Nisin regjistrimet për konkurset e pranimit në Universitetin e Arteve

16

Universiteti i Arteve në Tiranë ka nisur regjistrimet e konkurrentëve për konkurset e pranimit në programet e studimit me kohë të plotë në ciklin “Bachelor”, në çdo fakultet, për të gjitha programet e studimeve të ofruara.

Universiteti i Arteve në Tiranë nëpërmjet një urdhri njofton regjistrimet e konkurrenteve për konkurset e pranimit në programet e studimit me kohë të plotë në ciklin “Bachelor”, në çdo fakultet, për të gjitha programet e studimeve të ofruara, të cilat kanë nisur prej datës 13 gusht 2019 pranë sekretarive mësimore, nga ora 08:00 deri më orën 16:00.

Konkurrentët do të regjistrohen deri në orarin e përcaktuar nga secili fakultet për fillimin e konkurseve të pranimit. Pas regjistrimit, konkurset e pranimit për të gjitha programet e studimit të ofruara nga fakultetet e Universitetit të Arteve Tiranë do të zhvillohen nga data 20 gusht 2019 deri më datën 23 gusht 2019.

Konkursi

Pikët maksimale për konkurrim në një nga programet e studimeve me kohë të plotë të Universiteti të Arteve është përcaktuar që të jenë 200 pikë, të cilat sigurohen nga vlerësimi i mesatares së shkollës së mesme, si dhe pikët e fituara nga kandidati gjatë zhvillimit të konkursit.

Sipas skemës së përcaktuar, bëhet e ditur se 30 për qind të totalit të këtyre pikëve, kandidati do t’i sigurojë nga mesatarja  shkollës së mesme dhe provimeve të maturës, përkatësisht 60 pikë. Ndërsa pjesa tjetër e 140 pikëve i takojnë rezultateve të konkurseve të pranimit për secilin program studimi. Kufiri minimal i pranimit të konkurrentëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë do të jetë 90 pikë. Kandidatët që sigurojnë më pak pikë nuk kanë të drejtë që të vijojnë më tej procedurat për të siguruar studimet e larta në këtë degët e Arteve.