“Der Standard” magjepset nga Shqipëria: Ja 3 arsyet pse duhet të vizitoni patjetër

42

Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian dhe jo të gjitha thesaret e saj janë zbuluar

Por, vizitorët e huaj në Shqipëri po rriten nga viti në vit, shkruajnë Sascha Aumüller dhe Beate Schümann për gazetën e njohur gjermane “Der Standard”.

Elbasani – Një qytet si aset kulturor

Mikpritja, në kuptimin e saj të plotë, gjendet në mes të Shqipërisë, në Elbasan. Ky është qyteti i njohur në buzë të Shkumbinit.

“Një çështje nderi”, shpjegojnë Ermioni dhe Dashamir Qorri.

Shtëpia e tyre ndodhet brenda mureve historike të kështjellës, është e restauruar shumë këndshëm dhe kopshti gjallëron nga lulet. E veshur lehtë, 65-vjeçarja Ermioni na shërben kafe turke dhe raki të fortë në kopsht. Fqinjët e saj kanë emigruar, përfshirë dy nga fëmijët e saj.

Por, familja Qorri qëndroi. “Nuk është gjithmonë e thjeshtë”, thotë 74-vjeçari Dashamir, i cili na shpjegon se përse ky çift fton turistë për të plotësuar pensionin e tyre.

“Jemi një shtëpi e lumtur sepse rrethohemi nga dy shtëpi të shenjta”, thekson Ermioni. Njëra prej tyre është kisha ortodokse e Shën Mërisë, ndërsa tjetra kisha katolike e Krishtit, të cilat arritën t’i shpëtonin epokës së shkatërrimit nga Enver Hoxhë.

Rrënojat e Elbasanit të vjetër janë pëshpërima të së kaluarën nën sundimin e grekëve, romakëve, bizantit dhe otomanëve.

Porta në jug të kalasë hap unazën prej muri drejt së tashmes. Përgjatë bulevardit ”Qemal Stafa”, të mbushur me palma dhe me blloqe pallatesh të epokës së komunizmit, elbasanllinjtë e nxirë nga dielli shëtisin me smartfonë. Gra të mbuluara me shami janë të rralla. Pjesa më e madhe e shqiptarëve vishen si perëndimorët. Megjithatë, zëri i muezinit duhet të dëgjohet sërish. Elbasani do të ketë një xhami të re të financuar nga turqit. Xhamia Mbret, më e vjetra në vend, po restaurohet.

Në periferi të qytetit, një herë e një kohë i famshmi Kombinati Metalurgjik ”Çeliku i Partisë”, e kishte shndërruar Elbasanin në qendrën më të madhe industriale të Shqipërisë. Ndërsa tani, ai është një rrënojë gjigante industriale.

Rreth nëntë kilometra në juglindje të Elbasanit, Pal Qosja është i lumtur sot me lirinë e besimit. Në fshatin Shelcan një prift po kërkon prej 26 vitesh një ikonë të shekullit XIV. Në kishën ortodokse të shën Nikollës, një bazilikë modeste, ai drejton sytë te një pikturë me ngjyra të gjalla, që i atribuohet piktorit më të madh shqiptar të afreskeve, Onufrit nga Berati.

“Falë Zotit, ato ekzistojnë ende”, thotë ai. Ato i mbijetuan diktaturës si monumente culture, transmeton ATSH.

Gjiri i Gjipesë, një plazh si “Plazhi” i Di Kaprios

Pas një jave në Rivierën Shqiptare, ne kemi mundur të kuptojmë sjelljen dhe gjestet tipike të vendasve: natyrisht, në një kryqëzim në Shqipëri nuk është gjithmonë e nevojshme t’i bindesh sinjalistikës rrugore, por t’i biesh borisë së makinës. Rrugët janë të dukshme në këtë vend, pasi shpesh janë shumë të gjera. Veçanërisht ato që të çojnë askund

I tillë është një rrip asfalti mes fshatit Ilias dhe Vunoit, një financim i Bankës Botërore i vitit 2009, ku teorikisht mund të ulet edhe një avion ”Airbus”, por ndërkohë është pa ndriçim. Një udhërrëfyese na pret aty dhe na kërkon ta parkojmë makinën në pemët e ullirit, që të kursejmë hapësirën. Edhe ajo i druhej një fluksi të madh pushuesish atë ditë në plazhin e Gjipesë, por frika e saj doli të ishte e kotë.

Vetëm disa këmbësorë dhe dy makina “Jeep Defender” kabriolet me targa të qytetit bavarez të Tegernsit kaluan nëpër atë shteg mushkash nga parkingu i improvizuar deri në bregun e mrekullueshëm jonian. Në gjirin me ujëra të kaltra kristal mirëpritemi nga zhurma shurdhuese e një gjeneratori me naftë, që shërben vetëm për të furnizuar ekspresin e vjetër të kafesë të markës “Cimbali”, si dhe ne që kishim marrë dy kafe në lokalin e plazhit.

Përshtypja e parë e qetësisë relative këtë mëngjesi korriku nuk duhej të na kishte mashtruar: Me varka, këtejpari po vijnë nga Himara edhe një numër i vogël pushuesish të tjerë. Ata zënë thuajse gjysmën e shezlonëve, ndërkohë që shkrepin foto selfie para hyrjeve të shpellave përgjatë shkëmbinjve. Por, vonë rreth pasdites na duhet që kampin e ngritur nën hije në dalje të Gjirit të Gjipesë ta ndajmë me disa dhjetëra aventurierë, ndërsa në muzg skarat mbushen me peshk.

Në Gjirin e Gjipesë koha duket sikur ka mbetur në vend. Pavarësisht rrugës së gjerë të ndërtuar në vitin 2009, plazhi ngjan ende me “Plazhin” në filmin e Leo Di Kaprios. Por filmi tashmë i ka mbushur 19 vjet, kurse Shqipëria ka pesë vjet që ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë: Një vargmal pa alpinistë

“Shtresat e fundit të borës shkrijnë nga majat e vargmalit të Shebenikut kur çelin lulet e verës”, u thotë Laurenc Tupi alpinistëve të grmbulluar pas fshatit Fushë-Studën, ku lëndinat alpine shtrihen si tapetë të kuq dhe 31-vjeçari e njeh lulen e gushëkuqit blu vetëm sipas emërtiimit vendas.

Si shumë të tjerë në Luginën e Shkumbinit, shqiptarët dyshojnë nëse turizmi do të sjellë vërtet ato që shpresojnë. Në zemër, ai është i lumtur që Parku Kombëtar, i shpallur i tillë në vitin 2008, është aq i panjohur bashkë me pyjet e tij të ahut të mbrojtura nga UNESCO, luginat, 14 liqenet malorë dhe larminë e jashtëzakonshme të specieve, siç janë lule vjollca, apo rrëqebulli i rrezikuar i Ballkanit.

Atij nuk i pëlqejnë njerëzit që përdorin fuoristrada të zhurmshme, që trazojnë qetësinë e pyjeve dhe lënë pas mbeturina nga ekskursionet e tyre në male. Ai ende ëndërron për kohën kur në luginë jetonin së paku 3000 banorë, ndërsa në fshatin e tij kishte një thertore dhe një furrë buke. Xhamia ka mbetur, ndërsa banorët kanë migruar dhe në fshat kanë mbetur vetëm 30 familje. Madje edhe investimet në hotele nuk sjellin shpresë, për shkak të mungesës së përvojës në shërbime, stafit shumë të kufizuar dhe numrit shumë të vogël të turistëve.

“Kjo do të ndryshojë”, shprehet Juli Balla.

“Pa iniciativë, asgjë s’mund të arrihet”, shprehet kreu i shërbimit pyjor për mbrojtjen e parkut më të madh natyror në Shqipëri. Për të, e ardhmja mbështetet vetëm te zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. Ndryshe nga Alpet shumë të vizituara shqiptare në veri të vendit, vargmali Shebenik-Jabllanicë nuk ka qenë kurrë në vëmendjen e turistëve. Kjo është gjë e mirë, thotë 33-vjeçari. Ai nuk pret asgjë nga qeveria shqiptare. Grantet e akorduara për rrugën gjysmë të përfunduar mes Librazhdit dhe Fushë-Studnës përfundojnë nuk dihet se ku.

Ndërkohë, fshati ka një qendër vizitorësh me qendër informacioni dhe ambiente akomodimi. Restoranti “Bej Fatis” shërben vaktin e mëngjesit dhe ushqime të ngrohta. Në tre vitet e fundit, rojtarët e pyjeve kanë shenjuar 13 shtigje turistike. Më e shkurtra zgjat 30 minuta, ndërsa më e gjata plot katër orë. Nëse do të ishte në dorë të Laurens Tupit, ai do të lejonte në Parkin Kombëtar Shebenik-Jabllanicë vetëm turistët që e duan dhe kujdesen për natyrën.