Dita e Evropës, BSH prodhon 2 monedha numizmatike prej argjendi

14
Sot, më 9 Maj, përkujtohet Dita e Evropës, për të festuar paqen, prosperitetin dhe unitetin e arritur brenda komunitetit.
Ndaj, 9 Maji shënon një datë kyçe, jo vetëm për BE-në, por edhe për të gjitha vendet, që aspirojnë të anëtarësohen, sikurse Shqipëria.
Në vitin 2001, për të nderuar përpjekjet dhe aspiratat e vendit tonë në rrugën drejt familjes së përbashkët evropiane, Banka e Shqipërisë ka prodhuar 2 monedha numizmatike prej argjendi, me temën “Integrimi i Shqipërisë në Evropë”.
Vizatimet e këtyre monedhave, me prerje 200 dhe 100 Lekë, të vitit 2001, pa kurs ligjor, janë realizuar nga piktori Gentjan Gjikopulli. Këto monedha gjenden në shitje në Dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.
Idetë për krijimin e Bashkimit Evropian u parashtruan për herë të parë më 9 maj 1950, nga Robert Schuman, atëherë ministër i punëve të jashtme të Francës. Në një fjalim të mbajtur në Paris, Schuman shpalosi idenë e tij për një formë të re bashkëpunimi politik në Evropë, e cila do të shmangte luftën mes kombeve të saj.
Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni evropian që do të bashkonte dhe menaxhonte prodhimin e qymyrit dhe çelikut. Traktati që krijoi një organizëm të tillë (Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut) u nënshkrua vetëm një vit më vonë, më 18 prill 1951, në Paris. Propozimi i Schumanit konsiderohet të jetë gjeneza e atij që ne sot e njohim si Bashkimi Evropian.
/ata.gov.al