“Doja t’i tregoja Evropës që edhe ne mundemi”/ 100 milionë lekë për vajzën e artë, Luiza Gega pritet ngrohtësisht nga shqiptarët

42

Atletja Luiza Gega përfiton shpërblimin financiar prej 100 milionë lekë (të vjetra) nga qeveria, pas shpalljes kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Evropian të Atletikës që u mbajt në Mynih të Gjermanisë.

Ky shpërblim i akordohet sipas vendimit të qeverisë Nr. 789, datë 15.12.2021 për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre, që parashikon se, sportistët që thyejnë rekord evropian shpërblehen me shumën 60 milionë lekë (të vjetra). Ndërkohë, për ata që fitojnë vendin e parë në Kampionatin Evropian shuma që u akordohet është 40 milionë lekë (të vjetra).

Kampionia e Evropës u shpreh se “doja t’i tregoja Evropës që edhe ne mundemi. Ndoshta vijmë nga një vend i vogël, por me punë mund t’ia dalim edhe më mirë se ata”.

Luiza Gega arriti të thyejë rekordin e kampionatit evropian, me kohën 9 minuta, 11 sekonda dhe 31 të qindtat. Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë në fazën kualifikuese dhe ishte pretendentja kryesore për të fituar këtë garë.