Durrësi destinacion i kroçerave, vjen superjahti “Vertigo” (Fotot)

30

Jahti luksoz “Vertigo” u ankorua dje në portin e Durrësit, ndërsa në kalatën 4 të destinuar për jahtet me gjatësi deri në 50 metra ishin ankoruar edhe 6 jahte të tjerë.

Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se superjahti me gjatësi 62,46 ml dhe me flamur të ishujve Marshall qëndroi në kalatën 5.

“Vertigo” kishte lundruar nga Kartagjena (Spanjë) drejt Durrësit, ndërsa natën e kaluar u nis drejt portit të Splitit në Kroaci.

Porti më i madh i vendit është kthyer në një destinacion të kroçerave dhe jahteve turistikë të madhësive të ndryshme.

Që nga fillimi i muajit qershor në kalatën 4 dhe në kalata të tjera të Terminalit Perëndimor janë ankoruar 107 jahte turistikë nga vende të ndryshme të botës. Megjithëse është një port shërbimesh me destinacion kryesor përpunimin e anijeve tregtare, Autoriteti Portual Durrës ka krijuar kushte për qëndrimin disaditor të mjeteve lundruese turistike në qytetin antik.