Dy heronjtë e heshtur/ Laborantët dyfishojnë kapacitetet e respiratorëve të Shqipërisë

70

Në krizën e epidemisë së COVID-19, laborantët dentarë Besar Lalike dhe Elidian Çepele nuk ndenjën duarkryq – ata prodhuan pjesë për ventilatorë që dyfishojnë mundësitë e Shqipërisë për të trajtuar pacientët e koronavirusit, duke frymëzuar shumë kolegë dhe mjekë.

Brenda pak orësh në fundjavë, Besar Lalike dhe Elidian Çepele u bënë të njohur përtej rrjetit të miqve të tyre në Facebook.

Dy laborantët dentarë arritën  të prodhonin përmes një printeri 3D një pajisje përshtatëse, e cila mundëson dyfishimin e kapacitetit të ventilatorëve në luftën kundër koronavirusit të ri, COVID-19.

Besar Lalike i tha BIRN se i ishin futur punës pasi kishin parë printimet e kolegëve të tyre në Itali dhe kishin kuptuar se printerat që zotëronin në laboratorin e tyre “Dentur Design Center’ mund ta kryenin procesin –që kërkon saktësi të jashtëzakonshme dhe matet me nano-milimetra.

“Ne nuk donim që të përmendeshim fare për këtë punë,” tha në një bisedë telefonike Lalike. “Nuk ishte qëllimi ynë që të bëheshim të famshëm”.

Barra e jehonës mbi përpjekjen e suksesshme të dy laborantëve dentarë bie mbi mjekun stomatolog, Gjergji Dilo.

Në një status në Facebook, Dilo kërkoi ndihmë për t’u siguruar atyre rezinë – lëndë e parë për printerat 3D që prodhojnë implante dhëmbësh dhe protezash dhe që tani, falë përpjekjes së Lalikes dhe Çepeles, mund të shpëtojnë edhe jetë.

Gatishmëria e dy laborantëve për të vënë biznesin në dispozicion të mjekëve që po luftojnë me Covid-19 është duartrokitur si “prekëse dhe frymëzuese” nga një rreth i gjerë njerëzish./Birn