Dyfishohet buxheti për universitetet dhe kërkimin shkencor, ja si do të shpërndahen 100 milionë euro shtesë

132

Qeveria ka përgatitur një projektvendim që ndryshon buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm duke dyfishuar fondet për arsimin universitar dhe kërkimin shkencor.

Sipas tabelave zyrtare, në buxhetin e vitit të ardhshëm qeveria ka përcaktuar 7.4 miliardë lekë për arsimin e lartë. Por, projektvendimi i ri e çon këtë shifër në 14.9 miliardë lekë, pra dy herë më shumë.

E njëjta masë rritje parashikohet edhe për fondet për shkencën, të cilat nga 620 milionë lekë që janë parashikuar në buxhetin e miratuar ndryshohen në 1.2 miliardë lekë.

Paralelisht, vec rritjes së shpenzimeve për universitetin, në projektakt parashikohet edhe një fond emergjence me vlerë 5 miliardë lekë, i cili do të përdoret për përmirësimin e konvikteve dhe infrastrukturës universitare në të gjithë Shqipërinë. Në total të tre ndryshimet e rrisin financimin publik për arsimin e lartë dhe infrastrukturën universitare me 13.1 miliardë lekë ose mbi 100 milionë euro krahasuar me buxhetin e miratuar.