Dyfishohet numri i vizitorëve në kalanë e Rozafës, shifrat e tre muajve të fundit

36

Kalaja e Rozafës në Shkodër mbetet një nga destinacionet kryesore të turistëve vendas e të huaj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër bën të ditur se vizitorët në kalanë Rozafa kanë vijuar me ecurinë pozitive në këto 3 muaj të 2022 edhe në krahasim me vitin paraardhës 2021, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të vizitorëve vendas dhe të huaj.

“7.823 vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë kalanë Rozafa gjatë periudhës janar-mars 2022, ose 3.147 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2021”, tha DRTK Shkodër.

Kalaja e Rozafës, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë vizitorët. Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: e Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Gjatë vitit 2021 kjo kala u vizitua nga mbi 51 mijë turistë vendas e të huaj.