E shtuna, dita e abetareve shqipe në Itali

42

Abetare, Fletore pune, Gjuha shqipe 2 dhe Gjuha shqipe 3. Rreth 4 mijë libra kanë mbërritur në Ambasadën e Shqipërisë nga Qendra e Botimeve për Diasporën për të përmbushur kërkesat e shkollave të gjuhës shqipe që shoqatat kanë hapur në të katër anët e Italisë.

Sasia e librave përkon me kërkesat që shoqatat kanë paraqitur në qershor pas thirrjes së Ambasadës që u kërkoi të jepnin numrin e nxënësve që mendonin se do të ndiqnin këtë vit shkollor të ndarë sipas niveleve.

Librat janë falas për shkollat, por në pamundësi për t’ua nisur secilës prej tyre, Ambasada fton të gjithë të interesuarit të marrin takim e të vijnë t’i tërheqin.

Librat e mbërritur në Ambasadë janë të njëjtët që përdoren në shkollat e Shqipërisë dhe vlejnë për mësimin e gjuhës shqipe në tri klasat e para: abetare dhe fletore pune për klasën e parë, Gjuha shqipe 2 për klasën e dytë e Gjuha shqipe 3 për nivelin e tretë. Natyrisht një shkollë shqipe jashtë vendit duhet t’u ofrojë fëmijëve shqiptarë jo vetëm gjuhën por edhe njohuri të tjera rreth Shqipërisë që kanë të bëjnë me kulturën, historinë, traditat, ndaj në këtë drejtim kërkohet diçka më shumë se vetëm librat që përdoren në shkollat e Shqipërisë për mësimin e gjuhës.