Eksperienca në fshat, studentët eksplorojnë Boboshticën

3

Boboshtica, fshati që mendohet të ketë qenë i banuar që në Mesjetë, është ndalesa e radhës për grupin e studentëve, të përfshirë në projektin “Nëfshat2”, që ka si synim përfshirjen e të rinjve në zhvillimin e praktikave të punës nëpër fshatra.

Grupi i studentëve i udhëhequr nga mentorja, nisi fillimisht eksplorimin me qendrën e fshatit dhe historinë e pasur të zonës përreth ku gërshetohen rrugët me kalldrëm, çezmat e ujit dhe deri tek kishat shekullore.

Banorët vendas u treguan tepër mikpritës me grupin e studentëve të cilët patën mundësinë të vizitojnë disa nga bizneset lokale, tavernat karakteristike të Boboshticës, por edhe baxhon e firmës Shaka ku panë nga afër prodhimin e qumështit dhe djathit.

Pas disa ditësh të mbushura me vizita dhe takime, studentët “Shtegtarë” vendosën të organizojnë një workshop me përfaqësues të bizneseve lokale dhe Bashkisë Korçë.

Interesi ishte i madh dhe u hodhën ide për zhvillimin e fshatit nga ana turistike nëpërmjet prodhimit të rakisë së manit, një pije karakteristike e cila nuk mungon në asnjë shtëpi boboshtare.

Një tjetër pikë interesante ishte edhe zhvillimi i rrugës së shijes duke fuqizuar tavernat vendase dhe gjithashtu përmirësimi i infrastrukturës urbane për të aksesuar lehtësisht monumentet historike të zonës.

Gjatë bisedave me banorët u vunë re disa problematika siç janë mungesa e guidave turistike për turistë, emigrimi i të rinjve të fshatit dhe përmirësimi i bashkëpunimit midis palëve përkatëse.

Projekti “Nëfshat2” ka si synim përfshirjen e të rinjve në zhvillimin e praktikave të punës nëpër fshatra, me qëllim dhënien e kontributit të tyre me ide në krijimin e modeleve të fshatrave turistikë shqiptarë.

Ky projekt është i mbështetur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkë me partnerët e GIZ Albania.

/ata.gov.al