Ekspozitë në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa

7

Biblioteka Kombëtare, në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të letrave shqipe, Jakov Xoxa, çeli sot ekspozitën “100-vjetori i lindjes i shkrimtarit Jakov Xoxa”, me pjesëmarrjen e mbesës së shkrimtarit, Ajola Xoxa, ambasadorit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Skënder Durmishi, personalitete të kulturës, akademikë, studiues, shkrimtarë, botues, pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, si dhe të ftuar të tjerë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, duke vlerësuar kontributin e vyer të shkrimtarit në letërsinë shqipe theksoi se “kjo ekspozitë synon të ndërtojë rrugëtimin e krijimtarisë së Jakov Xoxës nga poezia e tij e parë, në moshën 19-vjeçare, në gazetën “Tomori”, veprat e tij të plota e deri në studimet më të fundit mbi veprën e tij”.

Shumë kanë shkruar për Veriun, të tjerë për Jugun, shumë për Tiranën e Korçën, ndërsa Jakov Xoxa me romanin “Lumi i vdekur”, përjetësoi myzeqarët e butë e mikpritës, duke shtuar galerinë e karaktereve në letërsinë shqipe. Jakov Xoxa gdhendi një vepër epope për dashurinë për njeriun, për dashurinë për jetën.

Ekspozita e hapur në Bibliotekën Kombëtare do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët deri më 30 maj 2023.

/ata.gov.al