Eric Pengili, 17-vjeçari mjeshtër i shkencave kompjuterike që u mëson shqiptarëve kodimin

52

Eric Pengili është një djalë 17-vjeçar me origjinë shqiptare, i lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasioni i shkencave kompjuterike, kryesish me programet e kodimit është arsyeja që e ka sjellë këtë verë në atdhe.

“Doja të vija në Shqipëri për të dhënë kontributin tim për të mësuar bashkëmoshatarët e mi gjuhët e programimit”, shprehet Eric.

Ndonëse në moshë të re, me formimin që ka marrë teksa studion në SHBA, si dhe me ndihmën e pedagogëve të tij, Eric asiston për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë në një kurs veror mbi kodimin.

“Jam lidhur me organizatorët e Code for Albania dhe me mësuesit e mi në SHBA dhe unë jap kurrikul nga SHBA për kursin për kodim”, thotë Eric Pengili.

Eric ka lindur ne New York por tashmë jeton në Florida. Gjuhën shqipe e ka mësuar më shumë nga komunikimi me prindërit që në vegjëli.

“Kur unë isha i vogël më mësonin prindërit por ku jetoja në New York shkoja në shkollën shqipe për të mësuar për një vit. Në Florida unë jetoj në Boca Raton, përvec mësimeve dal me shokët, luaj tenis ose luaj me kompjuter”, thotë ai.

Shqipërinë e viziton shpesh, ku përvec Tiranës ka shkuar dhe në shumë qytete për ta njohur sa më mirë vendin e origjininës.

Pasionin që ka për shkencat kompjuterike, Erik dëshiron që ta zhvillojë edhe në karrirë në të ardhmen.

“Shpresoj që të vazhdoj studimet në shkenca kompjuterike dhe në të ardhmen i impenjuar po në këtë fushë”, thekson 17-vjeçari.

Code for Albania është një program jashtëshkollor ku mësohet kodimi dhe ndihmon të rinjtë të orientohen më mirë në produktet dhe sipërmarrjen teknologjike.