3 medalje olimpike, Peja e artë e Kosovës

24

Me dy medalje të arta olimpike në sportin e xhudos, në Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe një nga Rio 2016, Kosova po arrin suksese të reja historike në arenën ndërkombëtare në sportin e xhudos.

Majlinda Kelmendi në Rio 2016 u bë xhudistja e parë që i solli medalje të artë Kosovës në kategorinë 52 kilogram tek femrat.

Po kështu, pas pesë vjetësh, në Tokio 2020 traditën në të njëjtin sport dhe me medalje të arta e vazhduan edhe xhudistet Distria Krasniqi në 48 kilogram dhe Nora Gjakova në 57 kilogram.

Për kreun e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqin, suksesi i vajzave kosovare nuk është i rastësishëm, por vjen si rezultat i punës së vazhdueshme të trajnerit Driton Kuka.

Në një deklaratë për AA, Krasniqi thotë se edhe pritshmëria e tyre në këto Lojëra Olimpike ka qenë më e madhe në xhudo, duke shpresuar së paku që ekipi të mos kthehej në shtëpi pa medalje.

”Pritshmëritë më të mëdha tonat para Lojërave Olimpike të Tokio 2020 ishin te xhudoja, ku synonim të paktën të mos ktheheshim pa medalje. Tani i kemi dy medalje dhe të dyja të arta. Këto suksese nuk janë të rastësishme, por vijnë si rezultat i punës ndër vite të mjeshtrit tonë ndërkombëtar, trajnerit Driton Kuka, i cili punon që prej 20 vjetësh me këta xhudistë si dhe Federatës së Xhudos së Kosovës”, thotë ajo.

Krasniqi thotë figurativisht se garueseve të xhudos në lojëra olimpike ua ka hapur dyert xhudistja e parë që fitoi medalje të artë, Majlinda Kelmendi.

Ndikimi i këtij suksesi, Krasniqi thotë se është dukshëm i madh, por, synojnë edhe më shumë në olimpiadën e ardhshme.

”Ndikimi është aq i madh sa që shumë e shumë vende tani Kosovën e njohin më shumë për shkak të sportit. Në Tokio 2020 këto ditë Kosova ishte temë dhe pyetje e shumë mediave se si një vend i vogël si Kosova ka fituar dy medalje të arta”, thekson Krasniqi.

Nga 8 gushti, kur përfundon Olimpiada në Japoni, ajo thotë se do të nisin punën për Paris 2024, ”ku synojmë të kemi më shumë sportistë dhe më shumë norma olimpike”.

Klubi i Xhudos IPPON në Pejë, ku u gatuan tri medalistet kosovare

Si medalja e varur lartë në qafën e fituesit, edhe ndërtesa e klubit të xhudos IPPON në Pejë rri si kurorë mbi një shpat të lartë në periferi të qytetit.

Nga jashtë, “kuzhina” ku u gatuan tri medalistet kosovare në xhudo është e rrethuar me një ambient të gjelbër, ndërsa brenda, ajo përmbushë kushtet e nevojshme të stërvitjeve dhe gjithçka që u nevojitet rreth 400 xhudistëve të grupmoshave të ndryshme, që ushtrojnë këtu.

Sekretari i Federatës së Xhudos në Kosovë, Korab Morina, për AA thotë se në Klubin e Xhudos IPPON në Pejë, aty ku stërviten të tri medalistet e arta olimpike nga ky qytet, Majlida Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, punohet shumë, me rreth 6 orë në ditë dhe rregullisht.