Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ po kalon në një fazë transformimi rrënjësor. Pritet që për pak ditë të fillohet rehabilitimi i një prej spitaleve, të cilët janë në zemër të shërbimit kirurgjikal, që është pikërisht Spitali i Kardiokirurgjisë dhe brenda këtij viti, do të nisin punimet dhe për Spitalin Psikiatrik në QSUT.
Pas përmbylljes së fazës së parë të investimit në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, me ndërtimin e spitalit të ri me tre shërbime të rëndësishme, siç janë Shërbimi i Urgjencës; shërbimi i Reanimacionit; sallat e operacionit për ndërhyrjet kirurgjikale infantile, ka vijuar faza e dytë e investimit në këtë kompleks spitalor, e cila përfshin rehabilitimin e plotë të Pediatrisë së Përgjithshme.
Faza e dytë e këtij projekti do të mundësojë të gjithë rehabilitimin dhe përforcimin nga themelet të të gjithë strukturës të Pediatrisë së Përgjithshme, ku janë 120 shtretër dhe përfshihet shërbimi i onko-hematologjisë, dializës, pneumologjisë, etj. Me përfundimin e fazës së dytë kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUT.
/ata.gov.al