Fermeri nga Kelmendi renditet mes prodhuesve më të mirë të djathit tradicional në Itali

80

Në Bari të Italisë është zhvilluar edicioni i 13-të i festivalit të prodhimit të djathit në mënyrë tradicionale. Mes fituesve të këtij festivali, në kategorinë e çmimit “Slow Cheese” renditet edhe Shqipëria, ndjekur nga India, Franca dhe Italia.

Çmimet i dedikohen barinjve dhe prodhuesve të djathit artizan, të cilët refuzojnë mënyrat e shkurtra që ofron teknologjia moderne dhe punojnë me respekt për natyralitetin, traditën dhe mirëqenien e kafshëve. Pasioni dhe përkushtimi që ata demonstrojnë në kërkimin e cilësisë, mban gjallë një trashëgimi të jashtëzakonshme të aftësive dhe peizazheve tradicionale. Këta janë prodhues të shkallës më të vogël, të cilët pavarësisht gjithë punës së tyre të madhe, rreziqeve dhe izolimit të përfshirë, vazhdojnë të rezistojnë. Fituesit u përzgjodhën në bazë të angazhimit të tyre, jo vetëm për të bërë djathëra natyralë të qumështit të papërpunuar, por veçanërisht për bujqësinë e drejtë dhe miqësore ndaj kafshëve.

Valter Dragu së bashku me bashkëshorten e tij Melinda Pepushai jetojnë në Kelmend dhe aty vazhdojnë traditën e trashëguar për prodhimin e bylmetit  tradicional.

Djathi Mishavin që ata prodhojnë dhe i cili u shpall gjithashtu fitues prodhohet ekskluzivisht në muajt e verës, kur tufat kullosin lirshëm në male, në dy fshatra të vegjël në rajonin e Kelmendit, në veri të Shqipërisë, në kufi me Malin e Zi. Ky djath i përket familjes së lashtë të djathrave në trastë dhe është rezultat i një teknike shumë të veçantë: gjiza pritet në copa, lihet të pushojë për dhjetë ditë dhe më pas shkërmoqet me dorë dhe vendoset në enë druri. Ky djathë i lashtë ka mbijetuar falë prodhuesve të vegjël të Presidiumit, të cilët e kanë kthyer atë në një burim krenarie për të gjithë rajonin. Valter Dragu mori këtë drejtim të rëndësishëm nga prindërit e tij, të cilët, ndryshe nga pjesa tjetër e familjes që emigruan në Shtetet e Bashkuara, vendosën të qëndrojnë në Shqipëri dhe të punojnë për t’i dhënë tokës së tyre një të ardhme.