Festivali “Oda Dibran” bën bashkë grupe artistike nga të gjitha trevat shqipfolëse

7

Festivali Folklorik, “Oda Dibran” është një nga festat lokale më të rëndësishme të zonës së Dibrës e cila bën bashkë grupe artistike nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Në edicionin e tij të 29-të për tri netë me radhë, në këtë festival morën pjesë 11 ansamble dhe grupet pjesëmarrëse nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi të cilët, sollën elementë unik të folklorit të krahinave si këngë, valle, kostume të larmishme, rite e lojëra të ndryshme popullore.

Prej shumë vitesh ky event artistik ka shërbyer si një urë lidhëse kulturore mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës.

Festivali i cili u mbajt një natë në Dibrën e Madhe dhe dy netë në qytetin e Peshkopisë, u ndoq me interes nga qindra artdashës dibranë, por edhe nga qytetet e tjera.

Grupi artistik i Bulqizës tërhoqi vëmendje përmes kostumeve shumëngjyrëshe, këngëve e valleve tradicionale, ku artistët tanë ngjallën emocion të veçantë tek publiku.

Në performancat brilante të të gjithë artistëve, me valle dhe këngë popullore burimore, u shpalos i tërë shpirti artistik i popullit tonë. Ky festival për nga rëndësia dhe përmbajtja artistike, nga kritikët e artit, renditet menjëherë pas festivalit të Gjirokastrës.

Mbrëmja finale e “Odës Dibrane” e tejmbushi sallën e  Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” me spektatorë dibranë, të ftuar, artistë e miq, ku mes tyre nderoi me prezencën e tij kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, Hekuran Duka.

Momenti më emocionues ishte ndarja e çmimeve, ku juria profesioniste shpalli fitues të çmimit të parë, ansamblin “Lura” për prezantim fantastik e të kompletuar, ndërkohë edhe grupet e tjera artistike u vlerësuan për numrat e realizuar më bukur.

Krahas këtij festivali, në Peshkopi u mbajt edhe Festa e të Vjelave, event i cili bën bashkë fermerët e zonës  të cilët promovuan prodhimet e stinës, produktet e artizaneve dhe gatimet tradicionale.

Zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla e pranishme në këto aktivitete thekson se “turizmi ashtu si në të gjithë Shqipërinë ka një momentum fantastik në Dibër. Bashkë me sektorin privat dhe pushtetin lokal është e rëndësishme të bashkërendojmë forcat për t’ju përgjigjur dinamikave dhe kërkesave të sektorit”.

Ajo nënvizon se “Dibra e stolisur nga perlat e natyrës, e bekuar me njerëzit punëtor e guximtar dhe e pasur me histori e traditë të jashtëzakonshme ka akoma shumë potenciale për t’u zhvilluar e mbështetur”.

Në kuadër të festivalit, u mbajtën edhe aktivitete të larmishme, informimi i publikut të gjerë dhe aktivizimi i fëmijëve duke i afruar më shumë me natyrën.

Stenda e Zonave të Mbrojtura  kishte rëndësinë e saj pasi u vizitua nga grupmosha të ndryshme të cilët u informuan rreth zonave të mbrojtura dhe vlerave që mbartin, ndërsa fëmijët shprehën interes dhe u njohën me llojet e ndryshme të faunës së vendit tonë me anë të aktiviteteve argëtuese.

/ata.gov.al