Fondi 744 milionë lekë/ Çelen fondet në bujqësi, të premten nisin aplikimet

29

Më 29 Maj happen zyrtarisht aplikimet për fermerët që duan të përfitojnë nga fondet e vëna në dispozicion për financimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral. Ministria e Bujqësisë dhe e Financave kanë nxjerrë udhëzimin përkatës për mënyrën e aplikimit dhe kriteret që i përjashtojnë fermerët. Sipas udhëzimit në fjalë, të botuar në Fletoren Zyrtare, aplikimet do të bëhen on line përmes e-albania, dhe në rastet kur e kanë të nevojshme do të asistohen on line përmes specialistëve të Agropikave.

Aplikanti kryen regjistrimin në portalin e-Albania me kartën e identitetit, zgjedh dritaren “Aplikim për skemat kombëtare”,  plotëson NIPT-in e fermerit, përzgjedh masën mbështetëse dhe plotëson (vetëdeklaron) sasinë që ka (krerë, sipërfaqe) dhe jep komandën “dërgo”.  Gjatë aplikimit fermerët duhet të konfirmojnë se janë të regjistruar në QKB, nuk janë debitor ndaj Drejtorisë së Tatimeve si dhe nëse i kanë paguar sigurimet shoqërore në momentin e aplikimit.

Sipas udhëzimit, aplikanti informohet se nuk mund të përfitojë nëse është debitor ndaj AZHBR-së, dhe/ose Ministrisë së Bujqësisë, ose nuk ka derdhur detyrimet koherente për sigurimet shoqërore. Afati përfundimtar për dorëzim dokumenti është deri në 20 ditë pune nga data e përfundimit të aplikimeve. Procedura e aplikimit përfundon me mesazhin në sistem ‘Aplikimi u regjistrua me sukses’. Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 744 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë.