Avioni Otto Celera 500L bie në sy për formën e veçantë, që nuk e ka asnjë avion tjetër në botë. Por edhe për një arsye tjetër: ka një aerodinamikë unike.
Forma e Celeras është dizajnuar që të ulë në mënyrë drastike forcën e fërkimit, duke bërë që ajri të kalojë në mënyrë sa më të lëmuar në sipërfaqen e avionit. Kjo e bën avionin që të ketë nevojë për më pak karburant e si rrjedhojë të jetë më ekologjik.
Sipas CEO-s së kompanisë, William Otto Jr., avioni harxhon katër deri në pesë herë më pak energji se aeroplanët e tjerë me motor me turbo, dhe deri në tetë herë më pak se avionët reaktivë. Kjo sjell edhe uljen e ndjeshme të çmimit të biletës. Sipas kompanisë Otto Aviation, fluturimi me avionin Celera do të kushtojë 328 dollarë për orë, krahasuar me koston prej 2100 dollarësh për orë të avionëve të tjerë komercialë të vegjël. Avioni Celera mund të mbajë deri në 6 persona dhe të udhëtojë për më shumë se 7200 kilometra distancë, me shpejtësi 740 km/h.
Celera 500L, i cili momentalisht është vetëm një prototip, u ideua nga William Otto Sr., veteran i fluturimeve. Avioni ka një motor me 12 pistona, që punon me naftë, por në të ardhmen parashikohet të zëvendësohet me një motor elektrik. Për herë të parë avioni është ngritur në fluturim në vitin 2018, dhe deri më sot ka kryer 50 fluturime testuese. Kompania beson se në vitin 2025 do të nisin shitjet, me një çmim prej 5 milionë. Ndërsa ka edhe plane për avionë më të mëdhenj, me 19 dhe 40 vende.