Foto dite/ Ora e parë e mësimit në klasën e gjuhës shqipe në Padova

25

“Fëmijë shqiptarë u ulën sot së bashku në tryezën me abetare dhe libra shqip!

Ata shkruajtën emrin dhe moshën e tyre në tabelë. Këta fëmijë do mësojnë të shkruajnë shqip dhe të flasin edhe më mirë gjuhën e tyre amtare, gjuhën e prindërve të tyre të dashur punëtorë, që gjejnë kohën t’i sjellin në kursin e gjuhës shqipe.

Mbas përpjekjesh për të rinisur kursin e gjuhës shqipe edhe këtë vit në Padova, me këmbënguljen dhe punën e palodhur të mësuese Dallëndyshe Hyseni në komunën ku ajo banon, kursi i gjuhës shqipe këtë vit u hap në Albignasego!

Mësueset Dallëndyshe, Arta, Kozeta , Klaudia dhe Merjona do punojnë me fëmijët e moshave nga 5 vjeç deri 13 vjeç , duke i ndarë në grupe sipas nivelit të njohjes së gjuhës shqipe dhe moshave të fëmijëve!
Mbështetja dhe vullneti i mësueseve, si edhe entuziazmi i prindërve, që sollën fëmijët sot në ambjentet e bibliotekës së Albignasegos e kthyen këtë takim në një ditë të bukur, kushtuar gjuhës shqipe dhe trashëgimisë së saj në breza!

Urojmë një fillim të mbarë të kursit dhe sa më shumë nxënës në këtë kurs!”

Nga Erida Cela, përfaqsuese dhe koordinatore shoqatës ” Aquasport Terme Asd”, Montegrotto Terme, Padova.