FOTO/ Qafëdredhësi, një mik i veçantë në Shqipëri

45

Ditën e djeshme, në faqen Regjistri Elektronik i Specieve Shqiptare është postuar një fotografi e rrallë e qafëdredhësit (Jynx torquilla) nga fotografi i talentuar Niku Bicja.
Raportimi në këtë periudhë i këtij lloji ka ngjallur jo pak kureshtje tek shumëkush dhe për këtë arsye, ne po shpjegojmë më poshtë veçorinë e këtij vrojtimi.

Qafëdredhësi është një prej dy llojeve më të vegjël të familjes së qukapikëve që ushqehet më së shumti me insekte dhe larvat e tyre. Vetëm duke marrë për bazë këtë fakt, logjika të sugjeron që lloji është shtegtar folezues në vendin tonë, ashtu sikurse në të gjithë Palearktikun qendror dhe atë veri perëndimor. Kësisoj në shumë harta dhe botime, ky lloj paraqitet vetëm si folezues dhe kalimtar në Shqipëri.

Përgjatë vendit tonë mendohet të kalojnë kryesisht popullatat skandinave të këtij lloji, të cilat në sezonin e vjeshtës fillojnë shtegtimin herët (që prej fillim korrikut) dhe mbërrijnë në venddimërimet në Afrikë (kryesisht në rripin e Tropikut Verior) që në fillim të shtatorit. Kthimi në pranverë fillon që prej muajit janar dhe zgjat deri ne muajin prill (për vendin tonë), ndërsa folezuesit e Evropës Veriore mbërrijnë në territoret e tyre deri në mesin e muajit maj.

Megjithatë, dimërimi i këtij lloji në vendet e Pellgut të Mesdheut është një fakt i njohur. Ndonëse, në rastin në fjalë nuk përjashtohet mundësia, madje ka shumë gjasë, që individi i fotografuar t’i përkasë nënllojit Jynx torquilla tschusii i cili është nënlloji i Mesdheut, pothuajse sedentar dhe bën shtegtime në distancë të shkurtër kryesisht deri në Afrikën Veriore. Ky nënlloj është vërtetuar se haset në vendet e brigjeve lindore të Adriatikut, sikurse është edhe vendi ynë.

Si përfundim, mund të themi se Jynx torquilla është lloj i përhershëm në vendin tonë dhe vrojtime të këtij lloji gjatë dimrit kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Sigurisht mbetet për t’u vërtetuar se cilit nënlloj i përkasin më së shumti individët që hasen tek ne.

Gjatë sezonit të dimrit në vendin tonë, ky lloj ushqehet me fruta të vogla sikundër janë manaferrat e thata etj, por me ngrohjen e klimës, të vërejtur veçanërisht gjatë viteve të fundit, prania e insekteve pothuajse nuk ndërpritet asnjëherë në disa mjedise.

Gjejmë rastin të përgëzojmë dhe falënderojmë fotografin e jetës së egër Niku Biçja për këtë sjellje mjaft interesante. Kjo tregon edhe njëherë mundësinë e risive shkencore që fotografia e jetës së egër mund të sjellë./ Shpendët e Shqipërisë / Birds of Albania