FOTOT/ Ekspertët restaurojnë ikonën mbi 300 vjeçare në Berat

25

Pas një ndërhyrjeje tre mujore në laboratorin e Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri përfundoi restaurimi i ikonës “Shën Maria me Krishtin” e tipit Udhëheqëse. Ikona me dimensione 88 x 60,5 x 5 cm, me autor anonim mendohet ti përkasë shekullit të XVII për nga stili dhe trajtimi artistike.

Kjo ikonë paraqiste shumë problematika, si: plasaritje dhe çarje të suportit të drurit, abrasion të pelikulës piktorike, dëmtime masive dhe mungesë grundi, si dhe depozitime papastërtish të qëndrueshme, dyll, bojra vaji, parafinë, bloz si dhe oksidim të vernikut. Të gjitha këto rrezikonin degradimin e veprës duke mos bërë të mundur për më tepër leximin e qartë dhe të plotë të skenës ikonografike të realizuar me mjeshtëri dhe elegance nga autori.

Pas ndërhyrjes restauruese u arrit rezultati i dëshiruar, duke parandaluar degradimin e saj dhe duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës. Kjo ikonë i ofrohet tashme e restauruar publikut të Muzeut Onufri duke pasuruar koleksionin e tij ikonografik.