FOTOT/ Fluks turistësh në Krujë, vetëm sot mbi 1 mijë vizitorë

23

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës vijon të zgjojë interesin e turistëve vendas e të huaj, të cilët mbeten të mahnitur nga historia dhe traditat shqiptare.

Vetëm ditën e sotme muzeu u vizitua nga mbi 1 mijë turistë, të cilët shfaqën interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”.

Pjesa më e madhe e turistëve janë nga Ukraina, Izraeli, Serbia, por edhe këtë vit, polakët përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve të huaj.

Nga janari deri në qershor këta muze i kanë vizituar 13 mijë vizitorë, 2.5 herë më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore në Shqipëri. Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.

Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Krahas pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për tu vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, Muzeu Historik si dhe Muzeu Etnografik.