FOTOT/ Gjatë verës mbi 75 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj në liqenin e Komanit, Fierzës dhe lumin e Shalës

50

Udhëtimi me mjete lundruese në liqenin e Komanit, është një nga udhëtimet më të bukura, ku shijon pamjet e mrekullueshme të mozaikut të turizmit natyror shqiptar.

Drejtoria e Përgjithshme Detare bën të ditur se “në periudhën maj-gusht mbi 75 000 udhëtarë vendas dhe të huaj kanë vizituar dhe kanë përdorur mjetet lundruese në liqenin e Komanit, Fierzës dhe lumin e Shalës”.

Sipas DPD-së, në periudhën maj – gusht 2021 mjetet lundruese kanë transportuar 4634 autovetura, 587 furgona, 64 autobuzë, 495 motorra.

“Në muajin maj me këto mjete lundruan 4420 udhëtarë, në qershor 11 319 udhetarë, në korrik 28967 dhe në gusht 31 000 udhëtarë”, thekson DPD.

I ndërtuar fillimisht si liqen artificial për furnizimin me ujë të hidrocentralit të Komanit, ai në vitin 2000 filloi të përdorej edhe për udhëtime ujore nga njëri vend në tjetrin, për të lidhur qytetin e Bajram Currit, Gjakovën me pjesën tjetër të vendit.

Më vonë, liqeni i Komanit ka filluar të nxisë edhe kureshtjen e vizitorëve turistik vendas e të huaj, pikërisht për faktin e bukurive natyrore dhe monumenteve të natyrës e historisë që gjenden në shtrirjen e brigjeve të tij.

Përgjatë tërë liqenit, nga Fierza e deri në Koman, në një udhëtim që zgjatë më pak se tre orë, vizitorët mund të mahniten me pamjet që ofrohen. Udhëtimi me traget apo me ndonjë barkë më të vogël ofron kënaqësi të pa përshkruar, ndërsa atraksion në vete janë fshatrat e kësaj zone dhe grykat e disa lumenjve që derdhen në liqen.

Lëvizjet turistike nëpër ujërat e Liqenit të Komanit vazhdojnë përgjatë gjithë vitit, por sezoni i vërtetë turistik fillon nga maji deri në shtator, periudhë kur edhe klima është e përshtatshme.

Për eksploratorët e natyrës dhe të historisë së zonës, të kulturës dhe të zakoneve, shfrytëzohen për fjetje e strehim bujtinat e rralla të fshatrave buzë liqenit.

Ndërsa Lugina e Shalës së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike, po tërheq një vëmendje të veçantë, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Para se të bëhej kaq i njohur banorët e zonës e njohin me emrin “Guri i Lekës” që lidhet me historinë e Lekë Dukagjinit, simbol i krahinës së Dukagjinit. Ajo që e bën sa të veçantë e të veçuar është fakti se në zonë nuk ka linjë telefonike e as linjë të energjisë elektrik. Kjo bën që turistët të shijojnë në maksimum natyrën e bukur dhe ujin Kristal, ndërsa fiksojnë në telefonat e tyre ose aparatet fotografikë momentet më të bukura dhe peizazhet fantastike.