FOTOT/ Konfimohet për herë të parë folezimi i qyqes me çafkë në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë

49

Qyqja me çafkë (Clamator glandarius) është lloj që shihet tepër rrallë në Shqipëri gjatë periudhës së kalimit dhe akoma më rrallë gjatë asaj të folezimit. Sipas Atlasit Evropian të Shpendëve Folezues (EBBA2) popullata folezuese e këtij lloji në Shqipëri është raportuar në nivelet e 1-9 çiftesh dhe vetëm në zonën ligatinore Shkumbin-Seman dhe atë të Drinit. Kjo gjetje e jona e fut edhe Vjosë-Nartën në territoret e folezimit të këtij lloji.

Kërkuesit tanë, për herë të parë e hasën çiftin e qyqes me çafkë në fillim të muajit prill dhe më tej territori është vizituar disa herë deri në fillim të muajit maj duke e hasur çiftin në çdo vizitë kërkimore.

Në një rast qyqja me çafkë u vërejt fare pranë folesë së një laraske, që me shumë gjasë është një prej foleve ku ka lëshuar së paku 1 vezë, pasi sikurse dihet, të dy llojet e qyqeve që hasen në vendin tonë janë parazitare të foleve të shpendëve të tjerë (kryesisht të llojeve të familjes së korbave).

Kjo gjetje dëshmon edhe njëherë diversitetin e lartë të shpendëve në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, dhe veçanërisht në habitatet tokësorë gjysmënatyralë që shtrihen kryesisht në pjesën veri-perëndimore./Birds of Albania