FOTOT/ Lidh Tepelenën me Himarën, rruga Gusmar-Kuç drejt përfundimit

68

Rruga e re Gusmar-Kuç, e cila lidh Tepelenën me Himarën tashmë është drejt përfundimit do të krijojë një ofertë të re turistike për këtë zonë.

Rruga turistike Gusmar-Kuç krijon një perspektivë të re për zonën e mrekullueshme malore mes Tepelenës dhe Himarës.

Investimi për ndërtimin e kësaj rruge kap një vlerë prej 5,780,441 dollarë dhe fillimi i punimeve ka nisur në prill 2020.

Aksi Kuç-Gusmar lidh bashkë Tepelenën dhe Himarën, si dhe qarkun e Gjirokastrës me rrugën e Lumit të Vlorës dhe me bregdetin.

Investimi në këtë aks rrugor përfshin ndërtimin e 4 urave, nga të cilat njëra arrin gjatësinë edhe më të madhe prej 30 metrash dhe një tjetër 10 metra, dhe dy urat e tjera janë në gjatësi më të vogla që janë nga 6 e 5 metra.

Aksi shoqërohet me mure masive mbajtëse pasi një pjesë e rrugës kalon në anë të shkëmbit dhe një pjesë tjetër është me mbushje.

Ky projekt është pjesë e “paketës së ndërhyrjeve”, ndërthurur më rrugën e Lumit të Vlorës dhe Bënçë–Lekdush. Prej kohësh rruga ishte domosdoshmëri infrastrukturore për të vënë në lëvizje agroturizmin në zonë, si dhe tregtinë e produkteve bujqësore e blegtorale më pranë bregdetit dhe më pranë shërbimeve kryesore në qendrat përkatëse të bashkive.

Natyra që shoqëron të gjithë këtë aks është një eksplorim më vete i turizmit malor, sepse jugu nuk ka vetëm plazhin e bukur.

Ky aks rrugor ndihmon në zhvillimin e zonës si për potencialin e saj turistik, ashtu edhe për tregtarët e zonës për të shitur produktet e tyre. Me përfundimin e kësaj rruge udhëtimi nga Tepelena në Himarë do të kryhet për një orë.