FOTOT/ Mali i Munellës kthehet në destinacion turistik, zhvillohet guida e parë

421

I pozicionuar në qendër të Shqipërisë Veriore, me një terren kryesisht të thyer dhe malor, rrethi i Pukës në tërësinë e tij, ofron një paketë turistikë të shumëllojshme ku mund të ushtrohen veprimtari të shumta çlodhëse dhe argëtuese. Një ndër destinacionet e shumta turistike që ofron rrethi i Pukës është edhe mali i Munellës, i njohur nga të gjithë për bakrin e pasur dhe shoqëruesit e tij, Ar, Argjend dhe Zink, ku mendohet se fshihen reth 4 mijë ton vetë ar.

Tashmë ky mal është kthyer zyrtarisht në destinacion turistik, pasi është zhvilluar edhe guida e parë. Një grup vizitorësh janë nisur nga Tirana dhe kanë ngjitur majen më të lartë të Munellës, prej 1992 m.

E shtrirë mes luginës së Fanit të Madh në Veriperendim dhe luginës së Fanit të Vogël në Juglindje, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thepisura, mbulesa të dendura pyjore me sipërfaqë të eroduara, fusha dhe lendina të gjëra, masive shkëmborë të larta, burime ujorë të kristalta, kullota të shumta alpine, Mali i Munellës është padyshim një destinacion turistik për të mos u humbur.

Mali i Munellës, i cili shtrihet në rrethet Pukë e Mirditë, ka një zgjatim që bie në sy kudo. Me 6 kilometra gjatësi dhe 3 kilometra gjërësi, te ky mal mund të gjeni gjithça ju keni nevojë për t’u argëtuar dhe për t’u çlodhur.

Në malin e Munellës rriten disa brezë bimorë. Deri në lartësinë 1000 metra mbi nivelin e detit ka pyll dushku, nga 1000-1600 metra mbi nivelin e detit rritet pisha dhe ahu, ndërsa mbi lartësinë 1600 metra mali është kryesisht i zhveshur nga pyjet dhe përbëhet nga kullota të shumta alpine.

Munella, edhe pse është propozuar dhe plotëson të gjithë kushtet për t’u shpallur zonë e mbrojtur, ende nuk po e merr këtë status.

PERGATITI: PO.AL