FOTOT/ Për herë të parë në Shqipëri, fotografohet një ‘mik’ i veçantë

21

Dje u regjistrua për herë të parë në Shqipëri, gjelaci sqepdrejtë ose gjelcaci i vogël këmbëverdhë (Calidris temminckii) në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Ky shpend i rendit të baltakëve dhe familjes së gjelacëve është pakëz më i vogël se një harabel shtëpie dhe dallon prej llojit tjetër tepër të ngjashëm të së njëjtës familje, gjelacit të vogël, nga pendët e bardha të bishtit kur është në fluturim, si dhe nga këmbët proporcionalisht më të shkurta dhe me ngjyrë të verdhë kur shpendi është në qëndrim.

Ky lloj shpendi folezon në pjesën veriore të globit, nga Norvegjia në Evropë deri në Ngushticën e Beringut në skajin më lindor të Rusisë dhe është një shpend tipik i Tundrës, ku ushqehet kryesisht me insekte dhe larvat e tyre por rastësisht edhe me ushqim bimor. Në vendin tonë, normalisht mund të haset në ligatinat bregdetare dhe gjatë periudhës së kalimit por me sa duket edhe në atë dimërimit në prag të së cilës gjendemi.

Dimëron kryesisht në Afrikë dhe Azi, në zonat ekuatoriale dhe mbi ekuatoriale por pothuajse vetëm të hemisferën veriore. Megjithatë dimërimi në numër të vogël në Mesdhe dhe në Evropën Perëndimore është gjithashtu një dukuri e njohur.

Më poshtë disa fotografi të llojit në fjalë./ Shpendët e Shqipërisë / Birds of Albania