FOTOT/ Rikthimi në funksion i aeroportit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës

50

Gjirokastra është tashmë jo vetëm një destinacion turistik, por edhe një vend ku vizitorët dhe turistët e huaj, zhvillojnë aktivitete sportive dhe aeronautike.

Pista e aeroportit të Gjirokastrës u hap për të pritur këtë fundjavë në festën lokale të qytetit, fluturimin e avionëve të vegjël sportivë dhe mjeteve të tjera të Federatës Shqiptare të Aeronautikës, që dhuruan një spektakël qiellor duke u shndërruar në një atraksion më vete për vizitorët e turistët që shijuan bukuritë e qytetit të gurtë.

Aktiviteti festiv në Gjirokastër, është konceptuar i gërshetuar me spektaklin e fluturimeve të avionëve sportivë, veprimtarive turistike, tradicionale artizane, agroturistike, kulinare, pikniket e ato sportivet.

Rikthimi në funksion i aeroportit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës, është një ndër projektet e rëndësishme të qeverisë që synon t’i japë një impakt të ri zhvillimit të turizmit në qytetin e gurtë, kjo për vetë pozicionin gjeografik dhe potencialin turistik.

Rijetësimi i aeroportit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues, tregtar, etj që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.

Aeroporti i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike, etj të vendit tonë edhe fluturimet në aeroportin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Afërsia gjeografike me Sarandën dhe bregdetin e Jonit do të bënte që turistët që do të mbërrijnë në Gjirokastër me linjat ajrore krahas vlerave të qytetit të gurtë të zgjerojnë guidat e tyre edhe me udhëtime në pjesën e bregdetit.

Aeroporti i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale.