FOTOT/ Rruga që zgjeron ofertën turistike në juglindje të Shqipërisë

73

Rehabilitimi i plotë i rrugës Përmet-Çarshovë, pjesë e aksit  rrugor Tepelenë-Përmet-Çarshovë, pritet t’i japë një frymëmarrje të re juglindjes së vendit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi mbi angazhimin e zbatuesve të projektit për ta finalizuar këtë investim në infrastrukturën rrugore sipas standardeve më të mira të sigurisë, duke publikuar edhe disa pamje nga ecuria e punimeve.

Përmet-Çarshovë është një segment shumë i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e zonave ku kalon kjo rrugë, por edhe për transportin e mallrave nga lindja në perëndim dhe anasjelltas.

Ndërhyrja synon përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar. Ky investim do e bëjë më të lehtë qasjen ndaj potencialeve turistike të rajonit të Përmetit, pasi në këtë mënyrë zgjerohet oferta turistike e rajonit dhe rriten mundësitë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik rajonal.

Përmeti përshkohet nga lumi Vjosë, i cili krijon një luginë shumë të bukur dhe rrethohet nga male me një florë dhe faunë të veçantë. Nuk mungojnë parqet me një interes të madh natyror, si Bredhi i Hotovës dhe burime termale me ujë sulfurik në luginën e Langaricës, të cilat formojnë pishina natyrale dhe të përdorshme. Gjithashtu janë të shumta monumentet me interes të madh historik, ndër të cilat numërohen shumë kisha, manastire të periudhës bizantine, rrënoja arkeologjike etj. Një tjetër aspekt që e bën të famshme këtë luginë janë dhe produktet tipike agroushqimore dhe me një kualitet të lartë të zonës.