FOTOT/ Stërvitje dhe punë, FA rehabilitojnë 16 km rrugë rurale

129

Forcat e Armatosura kanë nisur stërvitjen ‘Kompaktësimi 2018’, e cila përveç përgatitjes dhe trajnimit të efektivëve të batalionit të Xhenios për kryerje punimesh me mjete të rënda në terrene malore dhe kushte të vështira moti, u vjen në ndihmë edhe komunitetit.

Gjatë kësaj stërvitjeje në njësinë administrative Muhurr në bashkinë e Dibrës, xhenierët e Forcave të Armatosura testuan kapacitetet për reagime të menjëhershme në rastet e emergjencave civile dhe njëkohësisht përmirësuan infrastrukturën rurale në zonë për rehabilitimin e 16 km rrugë rurale nga Muhurri në Selishtë.

Stërvitja ‘Kompaktësimi 2018’ shërben gjithashtu edhe për përgatitjen e xhenierëve të rinj të Forcave të Armatosura dhe trajnimin e manovratorëve.

Segmenti rural Muhurr-Selishtë, i rehabilituar nga batalioni i Xhenios, është i gjatë rreth 16 km dhe përveçse mundëson lëvizjen e forcave dhe mjeteve të FA-ve, lehtëson edhe lëvizjen e banorëve të zonës.