FOTOT/ Ujërat termale të Bënjës në Përmet, atraksioni i fundjavës

59

Ujërat termale të Bënjës, 13 km larg qytetit të Përmetit, tërhoqën një numër të lartë vizitorësh në fundjavën që lamë pas.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër bën të ditur se, “të shtunën dhe të dielën në Ujërat Termale të Bënjës, Përmet, Monument Natyre, pati vizitorë të shumtë, vendas dhe të huaj”.

Sipas AdZM Gjirokastër vizitorët që zgjodhën Përmetin për të kaluar fundjavën shijuan edhe thesarin natyror të tij Ujërat Termale të Bënjës.

Specialistët e AdZM Gjirokastër ndodheshin tek ky monument për të dhënë informacion dhe mbështetje për vizitorët.

Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike, janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit Lengarica.

Çdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës, stomakut, veshkave, reumatizmës etj. Burimet e ujërave termale janë natyralë dhe derdhen në vaska të vogla të një bukurie të çmueshme në brendësi të të cilave është e mundur të mblidhet edhe baltë termale, e përshtatshme për trajnimet e lëkurës.

Ky vend i rrethuar nga një natyrë e pandotur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe kanioni Lengaricës dhe Ura e Katiut.