FOTOT/ Vijojnë punimet në aksin rrugor Korçë-Ersekë, qytetet afrohen me 20 minuta

59

Në kantierin e lotit të dytë të aksit rrugor Korçë–Ersekë, pas përmirësimit të kushteve klimatike, ka filluar puna me ritme të larta.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se kanë përfunduar punimet e gërmimit, mbushjes, betonimit, veprat e artit si dhe muret mbajtëse.

Aktualisht aksi rrugor Korçë-Ersekë ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra. Po kështu, aksi i ri do të ketë të gjithë elementët e nevojshëm që lidhen me sigurinë rrugore. Ndërtimi i tij do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç është Korça dhe Erseka.

Në projekt janë përcaktuar edhe krijimi i aksesit të fshatrave që ky aks përshkon me rrugën kryesore. Me përfundimin e tij distanca mes Korçës dhe Ersekës shkurtohet në 20 minuta, ndërkohë që shpejtësia e lejuar parashikohet të jetë nga 60 deri në 80 kilometra në orë.