Franc Nopça, hebreu hungarez që lartësoi kombin shqiptar në botë

225

Franc Nopça ishte baron dhe malësor, hebre hungarez  (dhe austriak), hulumtues dhe udhëpërshkrues, doktor i paleontologjisë dhe entuziast i albanologjisë, gjeolog dhe antropolog. Fotograf, arkivist, ligjërues e drejtor në Akademitë e Shkencave dhe vizitues i guximshëm e kurreshtar i çdo pëllëmbe toke të Shqipërisë së Veriut.

I dashuruar njësoj si në fosilet dinosauriane të Siebenbürgen-it të zbuluara rastësisht qysh më 1895 nga e motra Ilona, ashtu edhe në doket e zakonet e malësorëve të Veriut, me të cilat ra në kontakt qysh më 1903 kur ishte në Shkodër, përkatësisht më 1905, kur bëri udhën dhe përshkrimin e parë në Veri, anipse jo rrallë i sëmurë nga malarja dhe i penguar e i kërcënuar nga Valitë e Shkodrës.

Një njeri i gjithanshëm, mund të thuhet, nëse merren parasysh fushat e veprimtarisë së tij, por edhe një poliglot, sepse Nopcsa njihte disa gjuhë përnjëherë: hungarisht, anglisht, gjermanisht, italisht, rumanisht, si dhe gjuhët sllave, por kuptohet edhe shqipen, gjegjësisht, dialektet e saj. Simbas  studjuesit hungarez József Hála Nopcsa me kontributin e tij në shumë fusha (gjeografi, gjeologji, etnografi, gjuhësi, arkeologji, histori, etj.) dhe me respektin e tij ndaj shqiptarëve që në vitin 1913 gati qe zgjedhur mbret i Shqipërisë.

Një hulumtues, një vrojtues, një arkivist, një dashamirës dhe mbrojtës i shqiptarëve. (fakte të gjalla, te cilat na i kanë mëshehur )    Studimet si ´Die Bergstämme Nordalbaniens und ihr Gewohnheitsrecht´ (Fiset e malësorëve  të Shqipërisë së Veriut dhe e drejta e tyre zakonore), ´Geographie und Geologie Nordalbaniens´ (Gjeografia dhe gjeologjia e Shqipërisë së Veriut), ´Albanien. Trachten, Bauten und Geräte Nordalbaniens´ (Shqipëria. Kostumet, ndërtimet dhe veglat e Shqipërisë së Veriut) ´Aus Shala und Klementi´ (Nga Shala dhe Kelmendi) si dhe ´Das Katholische Nordalbanien´ (Shqipëria katolike e Veriut) janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm në aspektin faktografik, por edhe shkencor .

Monarkia austro-hungareze nxori një vistër emrash të njohur siç janë: Hahn, Meyer, Jokl, Bopp, Miklosich, Šufflay, Patsch, Steinmetz, Lambertz, Thalloczy, Ippen, Haberlandt, (anipse këta emra nuk ishin vetëm austriakë) të cilët në mënyrë permanente u morën me shqiptarët,., dhe nxitsja kryesore e këtij interesimi të planifikuar vlerash shqiptare ishte vetë Qeveria. Disa prej këtyre porse, merren me të drejtë si themelues të Albanologjisë.