Frymëzim/ Rrobaqepësja nga Elbasani dhuron 3 mijë maska

53

Në situata të vështira, njerëzit kanë treguar solidaritet për t’iu ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë më së shumti, dhe një rrobaqepëse nga Elbasani ka zgjedhur mënyrën e saj për të ndihmuar në këtë kohë “luftë”.

Anila Liçi, një rrobaqepëse nga Elbasani, ka qepur rreth 3 000 maska dhe i ka shpërndarë falas në disa institucione për të lehtësuar sa më shumë punën e atyre që janë në frontin e parë të kësaj lufte.

“Deri tani janë dhuruar 2 mijë maska dhe janë edhe këto 1 mijë maska që kanë mbetur dhe do të dhurohen. Kam menduar për punonjësit e atyre institucioneve që janë detyruar të qëndrojnë në rrugë për arsye të detyrës së tyre. Në shumicën e rasteve i kam dhënë policëve rrugor, i kam dhënë 2-3 supermarketeve, Postës Shqiptare. Dje shpërndava komplet spitaleve, përveç Infektivit. Më lindi ideja, sepse duke pasur vështirësi në blerjen e maskave, plus që kushtojnë goxha dhe mendova ‘pse të mos i qep’ dhe i kam bërë shumë cilësore. Është material shumë i mirë, ka filtër, pambuk dhe një pjesë shtresë nape”, tha Liçi.

Ajo ka ndarë edhe një mesazh në këto ditë të vështira.

“Ato që kanë mundësi të kontribuojnë sa më shumë në këto ditë të vështirë, sepse korona ka bërë një kaos të vërtetë si për punën, dhe për çdo gjë. Kontributi mund të jetë nga çdo njeri, me çdolloj mënyre si supermarketet apo çfarëdolloj gjëje tjetër e mundshme”, – u shpreh ajo.