Gati njohja e patentave me Greqinë, ligji shkon në parlamentin grek. Ja përfitimet

123

Brenda janarit pritet njohja dhe konvertimi i patentave shqiptare në Greqi. Ligji pritet të kalojë në parlament, gjatë këtij muaji.

Parlamenti shqiptar e ka miratuar marrëveshjen, ndërkohë që pas miratimit edhe nga Greqia , marrëveshja do të hyjë në fuqi. Referuar dokumentit të firmosur në vitin 2018, shtetasit shqiptarë, që janë të pajisur me një patentë të modelit I, të lëshuar nga data 01.07.2005 ose modeli II, lëshuar nga data 24.01.2017, mund të drejtojnë mjete në territorin grek, brenda periudhës së vlefshmërisë së leje drejtimit, për sa kohë nuk kanë vendosur rezidencën normale në shtetin grek.

Ndërkohë që, në momentin që shtetasit shqiptarë vendosin rezidencën normale në Greqi, ata mund të konvertojnë patentën shqiptare, në greke, duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit dhe Komunikimit të Rajoneve të Njësive Rajonale në Shtetin Grek. Kjo procedurë bëhet pas kryerjes së kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike, si dhe të sigurojë një përkthim zyrtar të leje-drejtimit shqiptare,  në greqisht, pa qenë e nevojshme kryerja e testeve teorike dhe praktike. Ndërkohë që, të njëjtat rregulla vlejnë edhe për shtetasit grekë që udhëtojnë drejt vendit tonë.