Gati sezoni turistik/ Rikthehen jahtet turistike në Portin e Durrësit

5

Një jaht turistik me emrin shqiptar “Tanusha” ka mbërritur sot paradite në portin e Durrësit. I regjistruar në portin George Town, ai u ankorua në molin nr. 4, në qendër të portit.

Jahti, i cili do të marrë një sërë shërbimesh portuale ka një gjatësi prej 57,5 metra dhe është ndërtuar në vitin 2009.

Në të njëjtin vit daton edhe ndërtimi i jahtit “Siren”, i cili u ankorua në të njëjtën kalatë po sot paradite. “Siren” i cili mbërriti nga Valencia ka një gjatësi prej 38 metrash.

Pas tre muajve të pandemisë për shkak të Covid 19, jahtet turistike po rikthehen gradualisht në portin e Durrësit.

Megjithëse turistët nuk mund të zbresin ende në qytet, rritja e numrit të anijeve turistike në port dëshmon për një sezon premtues gjatë stinës së verës 2020.

Që nga fillimi i muajit maj në port janë ankoruar 8 jahte të madhësive të ndryshme, ndërsa në periudhën janar-prill numri i tyre ishte vetëm katër.