Gërmimet arkeologjike zbulojnë një mozaik të rrallë në Durrës

7

Qytetit të Durrësit i është shtuar një mozaik i rrallë antik.

Duke hapur themelet për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në kuadër të programit EU4Schools finacuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP doli në dritë një pjesë mozaiku.

Sipas arkeologut prof. dr. Luan Përzhita i cili drejton punën për këtë zbulim arkeologjik ky është një mozaik mjaft i rrallë jo vetëm për vendin tonë por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Ky mozaik, i përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë ku paraqiten figura gjeometrike dhe floreale, i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II dhe është pjesë e një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit.

Deri tani janë zbuluar disa pjesë të këtij mozaiku që mendohet të ketë një sipërfaqe rreth 60 metër katror. Përveç mozaikut është zbuluar edhe një pjesë muri 3 metër e lartë në anën lindore si dhe disa objekte të tjera. Punimet në këtë mozaik janë kryer me një nivel mjaft të lartë profesional.

Ky është një zbulim mjaft i rrallë arkeologjik që i shtohet trashëgimisë së jashtëzakonshme kulturore të Durrësit. Puna e arkeologëve do të vijojë deri në zbulimin e plotë të të gjithë objekteve arkeologjike në këtë zonë.

/ata.gov.al