Skema Kombëtare, rreth 62% e aplikimeve për subvencione në blegtori

5

62 % e fermerëve në 12 qarqet e vendit aplikuan në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2023, për të përfituar subvencione në blegtori.

Referuar raportit të Ministrisë së Bujqësisë mbi zbatimin e buxhetit për periudhën 8-mujore, rezulton se numri total i aplikimeve në skemë shënoi 13.966 fermerë dhe deri tani janë disbursuar 8 825 fermerë, ose 63.1 % e totalit.

Sipas raportit, interesi më i lartë ka qenë për masën e blegtorisë me rreth 62 % të aplikimeve (matrikullim gjedh dhe matrikullim dele/dhi), ndjekur nga mbështetja për bletarinë me rreth 27.9 % të totalit të aplikimeve.

Këtë vit për herë të parë, skema mbështeti me fonde të gjithë aplikantët në blegtori dhe në bletari. Të dy këto sektorë kanë mbështetjen më të lartë, me qëllim nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të tyre në vijimësi, teksa konsiderohen sektor potencial të ekonomisë rurale.

Raporti evidenton se, një numër i konsiderueshëm i aplikantëve në skemë janë skualifikuar për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Fondi total i vënë në dispozicion për këtë vit ishte 3.2 miliardë lekë dhe synohej të ndahej në mënyrë proporcionale tek të gjithë ata që plotësonin kriteret, edhe pse skema nuk e lejon, pasi në disa masa, përfitimi është për numër bagëtish, numër kosheresh, etj.

/ata.gov.al