Gjermania jep grantin 4 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit

37

Qeveria gjermane do të mbështesë rindërtimin në Shqipëri, pas tërmetit të 26 nëntorit, me një grant prej 4 milionë euro.

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka informuar sot zyrtarisht Qeverinë shqiptare se Berlini “do të mbështesë rindërtimin pas tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit me grante në shumën e 4 milionë euro përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Me të do të rindërtohen shkolla dhe ndërtesa publike në përputhje me standardet më të fundit të sigurisë dhe efiçensës së energjisë”.

Në lidhje me këtë mbështetje, ambasadori gjerman, Peter Zingraf u shpreh: “Gjermania do të ndihmojë Shqiperinë për të rindërtuar shkollat dhe institucionet publike. Ky grant është një nga elementët e mbështetjes Gjermane pas tërmetit të 26 nëntorit i cili traumatizoi shumë shqiptarë dhe shqiptare. Rindërtimi do të shërbejë për rikthimin dalëngadalë në normalitin e jetës së përditshme.“