Gramshi i fshehur mes maleve, i kthyer në një oaz të mikpritjes turistike

62

Gramshi dhe monumentet e natyrës rreth tij vitet e fundit janë kthyer në atraksione për turistët vendas e të huaj.

Liqeni i Banjës bashkë me atraksione të tjera si Ujëvara e Sotirës, Liqeni i Zi, Liqeni i Dushkut, peizazhet mahnitëse të pyjeve, fshatrat e agroturizmet, e kanë kthyer Gramshin e fshehur mes maleve në një oaz të mikpritjes turistike.

Në liqenin e Banjës gjatë verës disa operatorë turistikë sjellin dhe kajakë, apo mjete të tjera lundruese, të cilat e bëjnë më tërheqës këtë liqen për t’u vizituar.

Gramshi i ka të gjitha mundësitë dhe resurset turistike që mund të shfrytëzohet për turizëm ditor. Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore që kur kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni.

Përballë të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore. Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.

Pika të tjera të vizitueshme në rrethin e Gramshit janë dhe liqeni i Dushkut, shpella e Kabashit e disa pika të tjera me peizazhe natyrore të veçanta që gjenden në këtë zonë.

/ata.gov.al