Kalaja e Pogradecit, pjesë e projektit ndërkufitar “Coolture” që do ta transformojë në atraksion gjithëvjetor

6

Në qytetin e Pogradecit punohet për zbatimi i projektit për rijetësimin e Kalasë së Pogradecit, një vendbanim që daton në shek. V-IV para Krishtit.

Ledjan Zeqollari, drejtor i Turizmit, Trashëgimisë Kulturore dhe Rinisë, në bashkinë e Pogradecit, tha për ATSH-në se, në kuadër të projektit IPA Ndërkufitar Maqedoni e Veriut-Shqipëri, bashkia Pogradec në partneritet me komunën e Strugës janë duke implementuar projektin “Struga dhe Pogradeci për promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore – Coolture”, ku po vazhdon puna për rivitalizimin e mureve të kalasë së qytetit duke kthyer kështu vëmendjen drejt trashëgimisë kulturore.

Krahas evidentimit të mureve të vjetra ekzistuese, një tjetër pikë tërheqëse është ballkoni panoramik që do t’i shtohet kalasë.

Punimet përfshijnë gërmime arkeologjike për zbulimin e mureve të kalasë dhe objekteve arkeologjike, ndërtimin e një muzeu arkeologjik, ballkon panoramik për vizitorët, ndriçimin e gjithë zonës dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore për aksesimin e këtij siti.

“Me përfundimin e punimeve, Pogradecit i shtohet një tjetër atraksion turistik gjithëvjetor”, është shprehur ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, i cili ka ndarë edhe foto nga puna në kala si dhe imazhe kompjuterike të cilat tregojnë mbi projektin përfundimtar.

Projekti synon që të kryhen gërmime arkeologjike për zbulimin e kalasë dhe më pas konservimin e zbulimeve për t’i bërë të vizitueshme nga vendasit dhe të huajt. Bashkimi Europian ka financuar projektin, ndërsa bashkia e Pogradecit do të asfaltojë rrugën.

Kalaja është braktisur rreth shekullit të 9-të dhe pritet që kjo ndërhyrje të nxjerrë në pah muret ekzistuese në prag të nisjes së sezonit turistik veror. Ky investim ndërkufitar, së bashku me Strugën përfshin një sërë projektesh të tjera, mes tyre rehabilitimin e një muzeu në Strugë, me vlerë rreth 30 mijë euro.

Kalaja është një nga pikat më të rëndësishme historike jo vetëm për Pogradecin, por për gjithë territorin shqiptar, se ka qenë qendër e mirëfilltë qytetare ilire, ka qenë një qendër e vogël, por shumë e rëndësishme administrative dhe ushtarake.

/ata.gov.al