Grand Slamit/ Xhudistja Majlinda Kelmendi kalon në gjysmëfinale

96

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, e ka siguruar një vend në gjysmëfinale të Grand Slamit të Dusseldorfit, në Gjermani. Në çerekfinale, Majlinda e mposhti xhudisten koreane, Bokyeong Jeong, me ippon, në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë.

Me këtë fitore, kosovarja i është afruar edhe më shumë medaljes së dytë të artë për këtë vit.  Fillimisht, kosovarja kishte qenë duke humbur me rezultat teknik, mirëpo afër fundit të ndeshjes, ajo u tregua shumë e fortë për kundërshtaren e saj, e cila tentonte ta sigurojë një vend në gjysmëfinale duke humbur kohë.

Në rrethin e tretë, xhudistja pejane e mposhti xhudisten braziliane, Eleudis Valentim, ndërsa në rrethin e dytë, triumfoi kundër xhudistes gjermane, Verna Thumm. Të dyja këto ndeshje, në rrethin e dytë dhe të tretë, Kelmendi i kaloi duke i mposhtur kundërshtaret me ippon, ndërsa rrethin e parë e kaloi pa luftë. Në gjysmëfinale, kosovarja do të përballet me xhudisten italiane Odette Giuffrida.