Gratë shqiptare, të parat në Rajon

54

Një studim i realizur nga Our World in Data zbulon se gratë shqiptare janë më punëtoret në rajon. Sipas të dhënave, në të gjithë rajonin gratë shqiptare kanë përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes në Forcat e Punës. Në analizën e tij, Our World in Data i është referuar shifrave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Pjesëmarrja e grave në forcat e punës në Shqipëri është 47.22%, duke lënë pas Serbinë me 45.85% të grave, ndërsa përqindja është më e ulët në Maqedoni dhe Malin e Zi, ku sipas të dhënave të publikuara përqindja e grave pjesëmarrëse në forcat e punës është përkatësisht 42.46% dhe 42.15%.

Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina renditet e fundit me 35.16% të grave që marrin pjesë në forcat e punës. Vendet ku mbi 60% e grave marrin pjesë në forcat e punës janë Kanadaja me 60.6% të grave, Kina me 61%, Peruja me 68% dhe vende të Afrikës, ku pjesa më e madhe e grave janë të punësuara në sektorin bujqësor.

Në Europë, vendet ku pjesëmarrja në forcën e punës është nën 40% janë Italia me 39.5%, Bosnje dhe Hercegovina me 35.16% dhe Moldavia me 39.45%.

Vitet e fundit ka patur edhe një rritje të përfaqësimit si kurrë më parë të grave shqiptare në politikë dhe drejtësi. Të dhënat flasin edhe për rritje të grave biznesmene dhe menaxhuese. Pavarësia ekonomike e grave është një ndër shtyllat kryesore për fuqizimin e rolit të tyre në shoqëri.