Hapen 7 shërbimet e para në Spitalin Qendror në QSUT

2

Spitali Qendror në QSUT është vendosur në funksion të pacientëve me shtatë shërbimet e para, të cilat tashmë janë funksionale, teksa vijon plani i transferimit të plotë të shërbimeve, që do të përmbyllen me vënien në funksion të urgjencës së re.

Pacientët dhe mjekët kanë vlerësuar maksimalisht këtë investim madhor në sektorin e shëndetësisë.

“Gjithçka e re, gjithçka me standarde europiane”, – tha prof. Myftar Barbullushi, shef i Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT.

“Dhoma për pacientët janë të përsosura, absolutisht asnjë gjë mangët. Motivimin e kemi më të madh dhe detyrat do t’i bëjmë më mirë”, – tha prof. Adriana Babameto, shefe e Shërbimit të Gastro-Hepatologjisë në QSUT.

“Me këtë ndërtim që është bërë këtu, ne jemi të barabartë me Europën në nivelin spitalor. Do kërkojmë të rrisim cilësinë e shërbimit dhe perfomancën tonë”, – tha prof. Agron Ylli, shef i shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT.

Spitali Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në 30 vitet e fundit. Spitali Qendror ka kapacitet 345 shtretër dhe do të akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

Pesë vite më parë nisi zbatimi i masterplanit për modernizimin e QSUT dhe pas përfundimit të Spitalit Kirurgjikal “Frederik Shiroka”, Spitalit të ri Pediatrik, Spitalit Infektiv, Depos Farmaceutike QSUT dhe Spitalit Qendror, vijon puna me intensitet për fazën e dytë të rindërtimit të Spitalit Pediatrik, në vijim do të hapen investime të reja me projektet për rehabilitimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik dhe atij të Djegie-Plastikës në QSUT.

/ata.gov.al