Historia frymëzuese e xha Mitatit, fermeri që ka 60 lopë: Kam punësuar gjithë familjen, shes 600 litra qumësht në ditë

321

Ndodhemi në fshatin Picar në fermën e Mitat Hadëraj, i cili prej më shumë se 40 vitesh punon, e ka nisur me pak bagëti dhe tani ka mbi 60 lopë.

Xha Mitati ka një jetë që merret me mbarështimin e gjedheve dhe ia ka parë hajrin punës së ngritur me shumë sakrifica.

“Në fillim kishim 4-5 lopë, ngritëm stallën, sot arritëm dhe kemi 50-60 lopë. E drejta është se kam pasion se kam punuar që 22 vjeç kam qenë brigadier në fermë”.

I biri, Albert Hadëraj u kthye nga emigrimi 16 vite më parë, inevstoi 100 milionë lek dhe tashmë në këtë fermë është e punësuar e gjithë familja.

“Kostoja ne këtu 100 milionë lek dhe me këto filluan stallat, kam skrep kombanjë, korrëse bari, tre rimoriko agregatet i kam vete dhe ne punojmë vetë. Unë dhe nipi punojnë jashtë sigurojmë ushqimin e lopëve, djali me nusen bëjnë punët brenda stallës”.

Mitat Hadëraj tregon se ka mbjellë tokat e marra me qira me misër e elb për të siguruar ushqimin për lopët. Para 3-4 vitesh në këtë fshat ishte problem ujitja, por tashmë është zgjidhur dhe ferma po shtohet dita ditës.

“Para 3-4 vitesh dështuam, i kam mbajtur lopët duke mbajtur kredi. Thahej misri se nuk kishte ujë. Tani kam bërë sillazhin, tokat i marr me qira 30 hektarë. Për punën tonë jemi të kënaqur, tani që kemi ujë”.

Nga këto lopë të rracës oshtenjë, Mitat Hadëraj merr plot 6 kuintal qumësht në ditë dhe tregun e ka të sigurt.

“Shes 6 kuintal në ditë me 600 lek/kg, rreth 11 mln në muaj, 7 mln i konsumojnë lopët, plus që bëra bëra elb e misër, ne punojmë vetë si familje. Kam ndërmend ta shtoj fermën por duhet të na ndihmojë dhe shteti për të investuar në stalla.”

Ai sugjeron që Ministria e Bujqësisë të japë subvecione për sasinë e qumështit dhe jo për gjedhet siç është aktualisht. Në moshën 76-vjeçare, Mitati Hadëraj vazhdon të punojë me përkushtim dhe apelon bashkëfshatarët të merren me blegtori. /Report TV